Verën e kaluar ishte një hap larg Realit të Madridit. Në fund nuk ndodhi asgjë, dhe Kilian Mbape përfundoi në orbitën e Paris SG, “perandorisë” së re të futbollit me bazë në Francë. Sulmuesi francez, ish-lojtar i Monakos, pohon shumë gjëra në një intervistë për gazetën “Marka”.
“Po, është e vërtetë, – tha 19-vjeçari, – me Realin pata bisedime, por transferimi nuk ndodhi dhe tani kjo është e kaluara. Zgjodha Paris SG, pasi ishte në Francë, në një futboll që e njihja mirë, dhe kisha mundësi të luaja”. Mbape pohon adhurimin që ka pasur në moshë fare të re për Kristiano Ronaldon, duke e quajtur si idhullin dhe modelin për të, ndërsa tregon se lidhja e tanishme me Nejmarin është shumë e fortë, padyshim edhe me Kavanin.
Gjithsesi, Reali do t’i dalë sërish ndesh, pasi PSG do të përballet me superfuqinë spanjolle në Champions pas 40 ditësh. “Do të jetë një duel i madh, mes dy prej ekipeve më të mirë të botës dhe shpresoj të fitojmë ne, – shprehet Mbape, – gjithsesi, është e vështirë të bësh parashikime. Reali mbetet shumë i fortë, pavarësisht formë jo shumë të mirë në ligën spanjolle”.
Sfidanti.al