Entuziazëm tek Milani, por tek Juventusi ka nisur lëvizja “Alegri ik”!

Kuqezinjtë fituan 2-0, reaguan pas disfatës së rëndë, ndërsa e zhytën sërish në krizë Juventusin. Më shumë sesa rezultati, tifozët e “Zonjës së Vjetër” u dëshpëruan nga loja e ekipit të tyre, ndërsa kritikat ishin të ashpra. Po ashtu, si lavdet për kampionët e Italisë. “Djalli i shikon sërish yjet, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – Festë e Milanit, fundoset Juventusi. Alegri, në çfarë telashesh je futur!” E përditshmja torineze “Tutosport” ka titullin “Deri në fund?” duke nënkuptuar se nuk ka shpresë për ndryshim, ndërsa kritikohet trajneri Alegri, por edhe arbitri.

“Mendoj se luajtëm mirë për 20-25 minuta, – tha trajneri, – por, pastaj nisëm të kthenim topin prapa. Megjithatë, edhe më pas nuk u rrezikuam shumë, me përjashtim të shtyllës së Leaos, ndërsa goli i parë ishte krejtësisht i shmanshëm, ashtu siç ishte edhe i dyti. Menduam se ishim shëruar, se e kishim kaluar të keqen, por ende jo”. Gjithsesi, siç raportohet në media, tekniku është në rrezik të madh, ndërsa tifozët kanë nisur sulmin në rrjetet sociale, me fushatën “Alegri ik”. Jo vetëm kaq, por edhe drejtuesit si Anjeli apo Nedved, po e humbasin besimin tek ai sepse përveç rezultateve, ekipit i mungon edhe loja.

Tek Milani është kthyer entuziazmi. “Teknikisht luajtëm më mirë ndaj Napolit edhe pse humbëm, – tha trajneri Pioli, – gjithsesi, patëm karakter dhe mentalitet fantastik. Po ashtu, për energjinë që dhamë në fushë dhe për ritmin dhe vendosmërinë në nivelet më të larta. Ndeshjen e fituam sepse luftuam siç duhet deri në fund, duke lënë pas humbjen me Çelsin. Ishte e merituar për gjithçka që bëri skuadra ime”. Milani është pranë kreut të renditjes në Serinë A me 20 pikë, ndërsa Juventusi ka mbetur prapa me vetëm 13.

Sfidanti.al