Del Piero gjen fajtorin e madh për humbjen e Juventusit ndaj Realit

Juventusi jo vetëm që u mund, por mund të thuash se edhe u poshtërua nga Rali i Madrdit në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions-it, pasi humbja 0-3 quhet e thellë, për më tepër që u pësua në fushën e vet. Shumëkush mbeti i pakënaqur nga loja e Juventusit, midis tyre, edhe legjenda e Juves dhe e futbollit evropian, Alesandro Del Piero, që shigjetat e kritikës i lëshoi në drejtim të trajnerit Masimiliano Alegri.

“Shumëkush e kishte lavdëruar Alegrin për vendimet e tij, por, kësaj here, ai duhet të ndryshonte diçka, sidomos, mbas humbjes së vjetshme në finalen e Champions-it në Kardif. Dihet që Reali ka mesfushën më të mirë në botë. Ajo e di se kur duhet të sulmojë dhe kur duhet të kalojë në mbrojtje. Alegri duhet të ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që përbën Reali i Madridit para portës”, vuri në dukje Del Piero.

Sfidanti.al