Alvaro Odriozola këtë sezon vendosi një rekord historik që vështirë se do të thyhet nga ndonjë lojtar tjetër. Futbollisti bask që është në pronësi të Realit të Madridit por që kaloi te Bayerni i Mynihut me huazim, fitoi 5 trofe duke luajtur me 2 skuadra të ndryshme në vetëm 10 ndeshje për një total prej 613 minutash që do të thotë 1 titull cdo 122 minuta.
Odriozola e nisi sezonin me Realin e Madridit ku luajti ndeshje të plota me Celtan, Osasunën e Granadën dhe 73 minuta me Mallorca, për të dalë më pas jashtë sistemit të rotacioneve të Zidane dhe pasi ndoqi nga tribuna suksesin e skuadrës së tij në Superkupën e Spanjës u transferua në Mynih ku pati të njëjtin fat.
Pavarësisht dëmtimit të Pavard,Hansi Flick preferoi të ndryshojë pozicionin e Kimmich në krah sesa t’i jepte mundësinë Odriozolës i cili në fund u detyrua të kënaqej me 3 ndeshje të luajtura në Bundesligë, një në Kupën e Gjermanisë dhe pak minuta përballë Chelseat në Champions, mjaftueshëm për të marrë medaljen e artë në të gjitha kompeticionet dhe për të qenë një prej protagonistëve të Tripletës së Bayernit.
Sfidanti.al