Nga Kroacia edhe pohojnë, edhe mohojnë, por lajmet janë. Dinamo e Zagrebit po mendon të përforcohet me një tjetër shqiptar dhe ky e ka emrin Albion Ademi. Sulmuesi 21-vjeçar i Shqipërisë U21 mund të ndjekë gjurmët e Lirim Kastratit, e sidomos të bëhet i dyti lojtar i Dinamos me këtë mbiemër, pas Arijan Ademit, futbollistit që ka fituar më shumë trofe në historinë e klubit.
Albion Ademi ka shënuar 12 gola e ka dhënë 3 asiste në 13 ndeshje të Superligës së Finlandës në radhët e Mariehamnit. Ademi ka qenë gjithmonë në formacion për Mariehamnin, ka luajtur 93 për qind të minutave të mundshme dhe ka marrë pjesë në 68 për qind të aksioneve të golave të ekipit këtë sezon në Superligë. Forma e tij e shkëlqyer e ka bërë golshënuesin më të mirë në elitën e futbollit finlandez, dhe padyshim që loja e tij dhe mosha shumë e re kanë krijuar interesim të madh për të.
Sipas mediave kroate, kartoni i tij mund t’i kushtojë Dinamos rreth 300 000 euro, një shifër krejtësisht e përballueshme nga kampionia e Kroacisë. Po sipas mediave, kryeqytetasit kanë nevojë për një lojtar si 21-vjeçari pasi nuk kanë shumë alternativa ofensive nga krahët. Gjithsesi, klubi zyrtarisht ka mohuar se po bisedon për Ademin, ndonëse kjo mund të jetë strategji për të mos krijuar konkurrencë.
Sfidanti.al