Votimi i Barcelonës për Mesin kapiten si mocion mosbesimi për presidentin Bartomeu!

Shiriti do të vazhdojë të mbetet në krahun e atij që e kishte edhe sezonin e kaluar. Futbollistët e Barcelonës vendosën me votimin e tyre të fshehtë që Lionel Mesi të mbetet kapiten edhe për edicionin e tanishëm, duke qartësuar edhe më shumë gjendjen në “Kamp Nou”. Trajneri Ronald Kuman u tregua i zgjuar duke mos ndërhyrë vetë në proces, e duke ua lënë lojtarëve përgjegjësinë dhe lirinë për të zgjedhur liderin e tyre. Ai e mori përgjigjen, ndonëse mund të kishte pritur ndonjë tjetër, ndërsa kjo përgjigje ishte tepër e hidhur për presidentin Bartomeu.

As “kryengritja në pallat” nuk ia uli kuotat Mesit, dhe as nuk ia prishi imazhin, apo nuk e armiqësoi me futbollistët. Përkudrazi! Lojtarët vlerësuan lidershipin e tij gjatë kohës së krizës së koronavirusit kur u përball me klubin për të mbrojtur të drejtat e tyre, ashtu siç u përball me presidentin Bartomeu dhe ish-drejtorin sportiv, Abidal. Votëbesimi për Mesin ishte edhe një mocion mosbesimi për Bartomeun që ndoshta i ka ditët të numëruara në detyrë. Mësohet se ish-presidenti Laporta do të jetë kandidat në zgjedhjet e marsit të ardhshëm.

Sfidanti.al