Që kampioni i botës e ka fare të lehtë këtë vit, kjo është e qartë, dhe emocioni më i madh në garën e Belgjikës këtë fundjavë ishte ai i aksidentit të Xhorxh Rasëllit me Uilliams. Një emocion thuajse fatal, sepse Rasëlli pati një goditje nga njëra prej gomave të Antonio Xhovinacit me Alfa Romeo. Ky i fundit u përplas i pari, iu shkëput goma e cila goditi makinën e Rasëllit, dhe për pak centimetra nuk goditi kokën e pilotit. Diçka e afërt me atë që ndodhi në Moto GP disa ditë më parë kur Valentino Rosi shpëtoi mirë pa u goditur nga një motor që fluturoi në ajër. Për fat nuk pati pasoja, por Formula 1 na kujtoi sërish se është sport i rrezikshëm sa më s’bëhet ndonëse makinat janë bërë më të sigurta për të përballuar pa probleme përplasjet me paretet anësore të pistave.
Fitorja e Çmimit të Madh të Belgjikës ishte për Hamiltonin që la pas pilotin tjetër të Mercededit, Valteri Botas, me diferencë 8.5 sekonda. Verstapeni i Red Bullit ishte edhe më poshtë, me mbi 15 sekonda vonesë. Anglezi 35-vjeçar ka 89 fitore në karrierë, 2 më pak sesa rekordi botëror i Mikael Shumaherit, ndërsa sipas të gjitha gjasave do ta barazojë rekordin tjetër të gjermanit me 7 tituj. Kampioni i botës kryeson renditjen me 157 pikë, 47 më shumë sesa Maks Verstapen i Red Bullit, që ka 3 pikë më shumë sesa Botasi. Pilotët e Ferrarit janë shumë prapa, me Lëklerkun që ka vetëm 45 pikë, ndërsa Feteli është në vendin e 13-të me … 16 pikë. Edhe për skuadra, Ferrari është në vendin e 5-të me 61 pikë, ndërsa Mercedesi kryeson me 264.
Sfidanti.al