Kur lojtarët u takuan sërish me njëri-tjetrin në 19 gusht, thuajse asgjë nuk kishte ndryshuar. Liverpuli vërtet ishte shpallur kampion i Anglisë, me diferencë të madhe me rivalët, por ky moment i jashtëzakonshëm i mezipritur për 30 vjet, nuk pati asnjë ndikim në mënyrën e sjelljes së trajnerit Jurgen Klop. Kampionia e Anglisë dhe ish-kampionia e Europës nuk mori mundimin të bënte më shumë se 11.75 milionë paundë stërlina shpenzim për të marrë mbrojtësin grek, Kostas Cimikas.
Të tjerët janë po ata, dhe me të drejtë mediat angleze bëjnë pyetjen sesi do të mundet Liverpuli ta mbrojë titullin? Çelsi i Londrës ka marrë Vernerin, Çiluellin, Zijeçin e Tiago Silvën, Mançester Siti i Guardiolës është shumë pranë Lionel Mesit, ndërsa më të fortë do të jenë Mançester Junajtidi, Arsenali e Totenhemi. Të përditshmet theksojnë se Jurgen Klopi u bë legjendë duke fituar titullin pas 30 vjetësh, por mbrojtja e titullit me Liverpulin në këto kushte, do të ishte suksesi i tij më i madh në karrierë.
Gjithsesi, të kuqtë duken të qetë. Ata kanë zhvilluar ndeshjet miqësore dhe duken gati për fillimin e sezonit të ri. Rezultatet kanë qenë normale për këtë fazë, fitore 3-0 ndaj Shtutgartit të Bundesligës gjermane, dhe barazim 2-2 në Austri ndaj kampiones austriake, Red Bull Salcburg. Vetë Klopi nuk sheh ndonjë problem.
“Ne kemi qenë këto kohë një makinë rezultatesh, – shprehet ai, – kështu ishim vjet, dhe kështu do të jemi përsëri. Ne fituam sepse luftuam shumë, ndërsa asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. Natyrisht, është mirë kur forcon skuadrën me lojtarë të rinj, por kjo vlen në kuptimin afatgjatë, sepse në kuptimin afatshkurtër, është mirë që lojtarët të njihen me njëri-tjetrin. Kjo besoj se do të na ndihmojë. Sa për Mesin, ai është lojtar i madh, por ne e kemi të pamundur ta marrim”.
Liverpuli, gjithsesi, duhet të marrë masa sepse mendohet që Sadio Mane të kalojë tek Barcelona, pra ose duhet mbajtur, ose duhet gjetur zëvendësues. Po ashtu, Klopi ka në dispozicion vetëm 1 javë për të marrë Tiago Alkantarën nga Bajerni.
Sfidanti.al