Merr fund epoka “Suarez” tek Barcelona, trajneri Kuman nuk e ka në planet e tij!

Kanë kaluar 6 vjet që nga ky prezantim, ndonëse duket sikur ka qenë dje. Luis Suarez ndoshta mendon se koha ka mbetur në vend, por tjetër mendim ka trajneri i ri i Barcelonës, Ronald Kuman. Holandezi i ka komunikuar sulmuesit uruguajan se nuk bën pjesë në planet e tij, pra se duhet që të largohet menjëherë. Kjo do të thotë se Suarez do të ikë nga “Kamp Nou” një vit përpara përfundimit të kontratës.

Një lajm tronditës për tifozët, jo sepse nuk mendohej që 33-vjeçari të largohej, por sepse ndarja e tij me Barçën është padyshim diçka dramatike. Suarezi ndihmoi katalanasit të fitonin 4 tituj në Spanjë në 6 vjet, si dhe të triumfonin në finalen e Championsit në 2015 ndaj Juventusit në Berlin. Ai shënoi gati 200 gola në rreth 280 ndeshje për klubin e La Ligës, dhe krijoi në dyshe speciale me Lionel Mesin, duke qenë shoku i tij më i ngushtë.

Nuk dihet sesi do ta presë Mesi largimin e uruguajanit, ndërsa nuk dihet se cila do të jetë vetë e ardhmja e argjentinasit në “Kamp Nou”. Eleminimi nga Championsi, pas humbjes turpëruese 2-8 me Bajernin bëri që kapiteni t’i komunikonte trajnerit të ri se e sheh veten më shumë jashtë sesa brenda klubit. Kumani ndërkaq ka në plan të largojë edhe Rakitiçin, Vidalin dhe Ymtitinë, siç informon e përditshmja e Katalonjës, “Sport”. Trajneri holandez besohet se ka ndërmend të bëjë një revolucion të vërtetë tek Barcelona, ndonëse gjithçka duket ende e paqartë.

Sfidanti.al