Tamam si anektoda, FSHF pasi mbaroi me stadiumet, tani…o burra 100 terrene!

Kushedi ku fle lepuri , ai lepur që nuk ngopet kurrë, sidomos kur luhet me topin e betonit! FSHF , 10 muaj më parë, i paska bërë kërkesë Ministrisë që ta frymëzojë financiarisht  në projektin e 100 fushave të futbollit. Duket si një lajm spektakolar , sa për të krijuar tymnajë, sepse të gjithë e  dimë se dashuria e madhe dhe e vjetër  e FSHF-së,  s’janë fushat dhe terrenet, por stadiumet, të cilat na i ka zili jo vetem Ballkani. Që nuk është një lajm nga ato që të driblojnë mes këmbëve, këtë e vërtetoka edhe “goli i dytë” ,  FSHF  ka bërë edhe në muajin shkurt një kërkesë të tjetër ndaj Ministrisë, por , siç ka ndodhur shpesh në kohën e pandemisë, Shteti as nuk kthen kokën kur futbolli për të disatën herw  ka bërë lypsarin në kohën e pandemisë…

Duket si një projekt i ardhur nga “parajsa” dhe jo  të dalë nga zyrat e FSHF-së,  ideja për të ngritur 100 terrene sportive! Po të jetë e vërtetë, i paska ardhur mortja  asaj anektodës  ku thuhej se futbolli  ynë e ka pësuar si ai fatlumi, që më parë mbaroi shkollën e lartë dhe më pas do të bënte shkollën e mesme. Edhe ne, pasi mbaruam punë me stadiumet,  tani do të ndërtokemi  100 terrene sportive.  Tamam si ai presidenti që u kishte futbollistëve disa muaj pa paguar rroga dhe u tha futbollistëve se ..”po t’ua jepte rrogën, kishte frikë se do ta prishnin”, edhe UEFA  paska udhëzuar presidentin tone, njeriun e saj,  që të mos i mësojnë klubet me para në dorë, por t’i lëvrojmë nëpërmjet lojës së betonit….

Sfidanti.al