Juve pranë titullit, duel Ronaldo-Imobile për Këpucën e Artë!

Kanë mbetur edhe 4 ndeshje, por 8 pikë epërsi janë shumë. Edhe më skeptikët janë dakord që Juventusi është shumë pranë titullit kampion, sidomos pas një prove të vërtetë duke mundur një sfidant si Lacio, 2-1. U luajt në stadiumin “Alianc”, si përherë pa tifozë, dhe u la pas shija e keqe e ndeshjeve të fundit si ndaj Milanit (2-4), Atalantës (2-2) apo Sasuolos (3-3). Kjo po, që mund të quhet Juventusi i Mauricio Sarrit, por trajneri napolitan duhet të falenderojë sidomos Kristiano Ronaldon që e ndihmoi në një ndeshje të Serisë A, me mungesa të shumta. Ronaldo shënoi të dy golat, njërin me penallti të fituar me VAR, dhe tjetrin me kundërsulm, si dhe goditi traun e portës, pas një gjuajtjeje me kokë. Çiro Imobile shënoi po me penallti për Lacion. Tashmë, lufta më emocionuese në Europë po bëhet për Këpucën e Artë, ku Levandovski kryeson me 34 gola (68 pikë), por me Imobilen e Ronaldon që janë në kuotën 30 rrjeta (60 pikë), ndërsa kanë në dispozicion edhe nga 4 ndeshje secili, gjithnjë nëse nuk dëmtohen.

Sfidanti.al