Fernandez-Grinvud-Pogba, fitore e një Junajtidi që duket si kandidat titulli!

Është shumë vonë për diçka të tillë, madje nuk është e sigurt nëse do të sigurohet futbolli i Championsit, por Mançester Junajtidi i Ole Gunar Solskjerit ka nisur t’i ngjajë atij të Sër Aleks Fergusonit, për rrjedhshmërinë e lojës, optimizmin dhe mentalitetin fitues. Suksesi 3-0 në fushën e Aston Vilës ishte një tjetër provë e qartë se trajneri norvegjez e ka vendosur ekipin në shina, ndërsa shënuesit e golave ishin personalitetet tek të cilët mbështetet skuadra: Bruno Fernandes, Mejzën Grinvud dhe Pol Pogba.

Skuadra e Solskjerit duket si një bandë fëmijësh të lumtur, që luajnë nëpër lagje, duke mos lënë dy gurë bashkë! Ata duken të gjithë sikur të ishin Tom Sojerë, apo kapitenë 14-vjeçarë, sipas personazheve të mëdhenj të letërsisë për fëmijë. Humbja e fundit në Premier Ligë është në 22 janar, ndërsa në 10 ndeshjet e fundit ka 7 fitore e 3 barazime, me golaverazhin 23-4. Fitoret radhazi janë 4. Për më tepër, Junajtidi është në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë, ku do të luajë ndaj Çelsit, si dhe në turin e tretë të Ligës së Europës, ku udhëheq LASK-un e Lincit të Austrisë pas fitore 5-0 në Austri. Gjithsej, “djajtë e kuq” kanë shënuar 100 gola këtë sezon! Gjithsesi, për t’u kualifikuar në Champions nga kampionati ende është e vështirë, pasi Junajtidi ka 58 pikë, ndaj 59 të Leisterit që mban vendin e katërt.

Sfidanti.al