Gerd Myleri, gjeniu i heshtur i Gjermanisë nuk mund të flasë më!

Prej 5 vjetësh është vendosur në një shtëpi kujdesi shoqëror, në një qytezë shumë pranë Mynihut, me emrin e vështirë gjerman Volfratshauzen, një vend që duket se ka lidhje me ndonjë legjendë me ujqërit. Aty është Gerd Myleri, që prej 5 vitesh vegjeton, i ndihmuar nga e shoqja, Ushi, dhe punonjëset e atyshme. Një fund i vështirë dhe i pamerituar për Bomberin e Kombit gjerman, por që na kujton se çfarë krijese lehtësisht e dëmtueshme është njeriu.

Gerd Myleri nuk mund të flasë sot, ndërsa në vitet e lavdisë, kur e kishte këtë aftësi, gjithsesi nuk është se e përdori shumë. Ai nuk ishte si Franc Bekenbaueri apo Lotar Mateusi i brezit të mëvonshëm, jo si Peleja apo Xhorxh Besti, bashkëmoshatarët e tij, që ishin yje publikë. Myleri dinte të fliste me golat, duke shënuar 711 në 780 ndeshje, 552 për Bajernin në 607 takime, dhe 68 për Gjermaninë Perëndimore në 62 sfida. Askush si ai në kupat e botës me 14 gola në vetëm 13 ndeshje, pasi Ronaldo arriti 15 në 19 ndeshje dhe Klose 16 në 24.

Një lojtar i pabukur, madje “i shëmtuar”, i ngadalshëm, i shkurtër, dhe në dukje i shëndoshë. Trajneri i tij i parë tek Bajerni, kroati jugosllav Çik Çajkovski, e quajti “Myleri i shkurtër e i shëndoshë”, dhe e paragjykoi duke thënë se nuk do t’ia dilte. Më pas, i kërkoi falje. Myleri kishte aftësinë për të shënuar gola në zonë, më të madhe se gjithkush tjetër në historinë e futbollit. Ai kishte nuhatjen, pozicionimin dhe forcën fizike. Siç thotë lojtari i Anglisë, Alen Malëri (Alan Mullery), “ai ishte shumë i fortë, nëse e goditje zhvendoseshe ti nga vendi”.

Bajerni e ndihmoi duke e larguar nga problemet e alkoolit, duke i dhënë një punë në Akademi, jo sepse ai do të bënte mrekulli, por thjesht për ta ndihmuar. Kjo funksionoi, por askush nuk mund ta ndihmojë sot për të shmangur dementian. Ndoshta në brezat e ardhshëm, shkenca e mjekësia do të kenë mundësi.

Sfidanti.al