Championsi është më pranë, por ky sukses ishte më shumë një “dolli” për rikthimin në jetë. Sevilja e festoi siç duhet rifillimin e La Ligës në Spanjë, pas më shumë se 3 muajve ndërprerje, duke fituar 2-0 derbin ndaj Betisit, në fushën e vet. Okampos, i kërkuar nga Arsenali, ishte lojtari që u dallua më shumë sepse shënoi golin e parë me penallti pas pushimit, dhe sepse furnizoi shokun e skuadrës, Fernando, për golin e dytë, me një goditje të topit me takë pas shpine. Kishte qenë gjithashtu Okampos që kishte goditur shtyllën në pjesën e parë.
Sevilja forcoi pozitat në vendin e tretë, duke qenë pozicionuar mirë për momentin në garën për Champions, ndonëse rivalët janë pranë. Sociedadi e Getafe kanë nga 46 pikë, e Atletiko e Madridit 45, që të treja me një ndeshje më pak. Reali i vendit të dytë është 6 pikë larg, ndërsa Barcelona kryesuese, 8. Trajneri Lopetegi, pas vuajtjeve me Spanjën në Botëror dhe me Realin, duket se po kthehet vetvetja. “Mendoj se ishim fitues të merituar, – tha trajneri seviljan, – lojtarët u përgjigjën mirë, ndonëse u ndjenë të lodhur në fund. Nëse nuk do të kishim pasur 5 ndërrime, do ta kishim përfunduar ndeshjen me 9 vetë”. Hoakin, veterani i Betisit, u shpreh shkurt se “Sevilja e meritoi fitoren”.
Sfidanti.al