Timo Verneri? Tre gola ndaj Maincit, dhe bisedë në skajp me Klopin!

Shpejt pasi shkëlqeu këtë të diel, në mediat sportive të Madridit u shfaqën menjëherë shkrimet mbi Timo Vernerin. “Me këtë formë, duhet të konsiderohet si një lojtar për t’u marrë (nga Reali), – shkruajti “Marka”, – Verneri do të ishte edhe ai një blerje e mirë”. Nuk dihet nëse Florentino Perezi apo Zinedin Zidani e lexuan këtë artikull “onlajn”, por padyshim që ata e morën vesh se Verneri shënoi 3 gola për Lajpcigun në portën e Maincit. Tashmë, sulmuesi i Gjermanisë ka 24 gola këtë sezon të Bundesligës, dhe është bërë rekordmeni i rrjetave të ekipit në elitën e futbollit gjerman.

Gjithsesi, Reali nuk quhet favori për Vernerin, dhe ndoshta as nuk e ka në planet e tij. Një klub tjetër duket në avantazh, të paktën sipas lajmeve që po dalin nëpër Europë, dhe ky klub është Liverpuli. Gazetari i televizionit “BT Sport”, Rafael Hëningshtajn, pohoi për të përditshmen britanike “Ekspres” (The Express) se “mendoj se javët e fundit ka pasur një takim virtual mes Jurgen Klopit dhe atij (Vernerit)”. Hëningshtajni argumentoi se “Liverpuli po heziton pak sepse nuk e di sesi do të jetë ndikimi i krizës së koronavirusit në futboll, dhe sesa do ta marrë veten futbolli duke u kthyer në fushë, të gjithë po presin para se të veprojnë”. Akordi Liverpul-Verner, që normalisht duhej të ishte vulosur në prill, mund të realizohet ndoshta në shtator apo tetor.

Sfidanti.al