Zonja ministre, futbolli ishte i pari që “ e përzuri” Covidin 19 ! 

Sa më shumë flitet se Bundesliga apo  kampionate të tjerë  po bëhen gati të zbarkojnë në fushë , aq më shumë po na  largohen! Siç duken bathët,  futbolli nuk duhet vënë dy herë në bankën e të akuzuarit: një herë në fillim si përhapës i epidemisë, ku ndeshjet luheshin me Covidin që bridhte në fushë e në stadiume, si në Bergamo e në Valencia,  dhe një herë në “fund”, tani  kur futbolli s’po duron dot më, synon  të dalë  para kohe. Të  gjithë nxitojnë, të mëdhenj dhe të vegjël. Për të mbajtur gjallë shpresën, ka javë që bien tam-tamet  se  Bundesliga është e para, por data jo vetëm nuk  afrohet, madje po largohet…

Edhe Superliga, kampionati i vogël nga niveli, që shtiret si i madh për nga ngjarjet,  po lufton me mjetet e veta për të qënë midis “trimave” të parë, që do të zbresin në fushë. Madje, këto  ditët e fundit,në FSHF kanë hartuar edhe një skemë-rregullore, ku sipas tyre Covidi do të mbetet në pozicion ofsajti nëse fillojmë.  Por loja e madhe, paska skemë tjetër dhe  “mesfushorët e pandemisë”..sikur i  kanë kthyer kurrizin mesfushorëve të topit. Ndaj, pa shpresë, zyrtaret   presin bilbilin të fryjë nga lart. Dhe lart , fjala  nuk është për “kombëtaren e mjekëve”, për Piperon me shokë, të cilëve u dhuruam fanela dhe topa kuqezi, por për lojtarët e politikës.

Tamam-tamam për atë që mban shiritin e kapitenit, një kapiten që ka dalë hapur se nuk është më në ekip me “fasonët”, por kundër!  I mbetur si peshku pa ujë, edhe presidenti Duka, dy ditë më parë, është shtrënguar të luajë bilardon e radhës, t’i drejtohet atyre poshtë, që të preket ai lart : “  Ministria e Shëndetësisë nuk na ka në inventar, por duhet të dijë se sporti mund të ndihmojë edhe Ministrinë e Shëndetsisë për qytetarë të shëndetshëm”. Në fakt, po të ishte më shumë njohëse, edhe pse  tifoze e Tironës, zonja Manastirliu, me siguri  do  ta kishte falenderuar në veçanti futbollin, para sporteve të tjera. Pse prapë futbollin? Sepse në Europë, futbollin e kanë vënë në bankën e të akuzuarve, si në Itali dhe në Angli, ku epidemia mori krahë nëpër stadiume, kurse tek ne, Covidi kur vuri këmbë për herë të parë në stadiumet tona, po të kishte dhe gojë, do të pyeste : “ Pse nuk paska tifozë këtu? Cili e ka spiunuar ardhjen time…”

G.Sinemati