Shpresa e kundërshtarëve ishte që në derbi edhe mund të ndalej, por ashtu siç ishin parashikimet, kjo nuk ndodhi. Interi e përballoi presionin e një ndeshjeje të pabesë si ajo ndaj “kushërinjve” të qytetit në “San Siro”, arriti një fitore të madhe dhe imponuese 4-2, duke kapur kreun e renditjes. Dakord, bilancin direkt me Juven e ka negativ (humbje 1-2 në shtëpi), por gjithçka tjetër është e shkëlqyer.
Vetë triumfi në derbi pati shije të veçantë, me një përmbysje nga ato të mëdhatë, të tilla që mbeten si legjenda dhe tregohen gojë më gojë, e brez pas brezi. Milani kryesoi 2-0 në fund të pjesës së parë kur dy “mosketierët” e golit, Ante Rebiç e Zllatan Ibrahimoviç gjetën rrugën e rrjetës. U duk ndeshje e mallkuar, ashtu siç ishte ajo juventine në Veronë, por me një Antonio Konte në stol asnjëherë nuk është e mbyllur.
Nuk dihet se çfarë mund t’u ketë thënë trajneri zikaltër lojtarëve të tij, por duhet të ketë qenë ndonjë “seancë” e ashpër psikologjike, pasi Interi doli me tjetër moral për pjesën e dytë. Barazoi shpejt rezultatin me golat e Brozoviçit e Vesinos në minutat 51 e 53, duke marrë ndeshjen në dorë. Gjeti avantazhin me De Vrajin në 70’, dhe mbylli gjithçka me Lukakun në minutën e tretë shtesë.
Një derbi me shumë emocione, me 6 gola, me 4 shtylla (nga dy për secilën skuadër) dhe me raste të shumta. Publiku prej mbi 75 000 tifozësh besohet se mbeti i kënaqur, të paktën për spektaklin dhe nuk u pendua për paratë e shpenzuara për biletat. Milani e mbajti më shumë topin, por Interi u tregua më i saktë duke goditur 7 herë në kuadrat të portës, ndaj vetëm 2 të kuqezinjve.
Ja renditja e Serisë A pas 23 javëve: Inter 54 pikë (golat, 48-20), Juventusi 54 (44-23), Lacio 53 (53-20), Atalanta 42 (61-31) … Milan (në vendin e 10-të) 32 pikë.
Sfidanti.al