Ishte pjesa e dytë në “Uajt Hart Lejnin” e ri dhe një ndërhyrje e ashpër shkaktoi dëmtim të dy lojtarëve, Andi Robertson e lëshoi topin pak më përpara sesa duhet, dhe u sul ta kontrollonte sërish, i sfiduar nga Zhafet Tanganga i Totenhemit. Mbrojtësi i Liverpulit e preku topin, por takat ishin të ngritura dhe ai goditi edhe kërcirin e mbrojtësit të Spërsave. Ishte një moment i rrezikshëm që mund të vlerësohej për karton, të verdhë apo të kuq, por gjyqtari nuk dha asgjë dhe loja vazhdoi normalisht.
Kjo nuk i pëlqeu aspak Zhoze Murinjos, i cili protestoi ndërsa ishte në vijën anësore gjatë ndeshjes. Protesta e trajnerit portugez vazhdoi edhe pas përfundimit, ndërsa po jepte intervistat për platformat televizive. “Mendoj se ata të VAR-it po pinin nga një gotë çaj, – ishin fjalët e tij, – Liverpuli ishte me fat. Natyrisht, mund ta fitonte ndeshjen edhe me 10 lojtarë, por ata të VAR-it nuk e panë ndërhyrjen e Robertsonit që ishte për karton të kuq”. Skocezi Robertson ka marrë 18 të verdhë në 136 ndeshje në Premier Ligë, por asnjë herë të kuq, dhe ky mund të kishte qenë rasti i parë.
Sfidanti.al