Gjermanët e “Der Spiegel”, mos shpifni për presidentin tonë  dhe.. trukimet!

Shumë vite më parë, tamam tamam në kohën e diktaturës, një i dehur, sapo doli nga   lokali, nisi këngën që ia donte shpirti : “ Amerika, Amerika…” kur  befas dikush i shfaqet si fantazëm, duke e provokuar  : “ Si vazhdon kjo kënga”? I dehuri, i cili  bëhet esëll në çast, improvizon tekstin : “ Amerika,Amerika, vendi i vuajteve dhe i trishtimeve”. Njeriu fantazëm, apo afija siç  i quanin në atë kohë, kur dëgjoi vazhdimin e tekstit u befasua : “ Bravo, bravo, paske pije të bukur..”

Tani kthehemi në kohën tonë, në ditët e sotme,  në kohën që thuhet se po lulëzon demokracia e fjalës kudo, pale në lëmshin  e futbollit.  Një gazetar sportiv, krejt esëll,  pa pirë as dhe një gllënkë  alkool , i paska dhënë një intervistë gazetës së njohur gjermane,”Der Spiegel” , ku midis të tjerash   u lakuan dy fraza. E para: “ Presidenti Duka dhe klika e tij janë shumë të fortë, asnjë politikan  nuk merret me të”. Dhe  fraza e dytë: “ Njerëzit nuk shkojnë në stadium sepse e dinë që aty bëhet teatër”.  Sapo intervista u botua dhe lajmi mori dhenë, gazetarit  do t’i kenë bërë magji, mbase do t’i ketë dalë  para ndonjë  fantazëm, nga ato që nuk  të thotë  “vazhdoje këngën”, por të urdhëron të kundërtën. Të pendohesh për ato që ke  “kënduar” , aq sa frazat e mësipërme edhe pse e shikojnë dritën në  prestigjozen  “Der Spiegel” ,  mbeten pa zotin e tyre, pa atë që ka thënë të vërtetën e shpirtit.

Por, pse djegin kaq shumë këto fraza, kur në gazetat tona janë thënë të vërteta më fshikulluese se këto që janë shkruar  tek gazeta gjermane, sado me peshë qoftë. Thonë se në FSHF ka një department special, i cili  merret me vaksinimin e medias dhe popullatës së futbollit për të ndryshuar qëndrimin dhe shijet ndaj presidentit  tonë despotik. Qyshse ai  ka veshur petkun e ri të UEFA-s,  e vërteta lidhur me mëkatin e trukimeve  do të menaxhohet  me marifet, saqë fajtorët do të gjënden poshtë nëpër klube  dhe jo sipër nëpër zyra.    Dhe efektet e para  të vaksinimit janë të dukshme, saqë dëgjon dhe  zëra  se “Der Spiegel” do të provojë humbjen e parë  në sallën e  gjyqit  dhe.. me paratë që do të fitojmë  duke mundur “shpifësit” gjermanë, do t’i bëjmë edhe më të bukura zyrat  luksoze të FSHF-së, në themelet e të cilave ka  më shumë të “vërteta” se sa beton…

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport