Të barazosh Maradonën e vlen ta festosh me një fitore Championsi

Mbrëmja ishte perfekte për Napolin, që po duket më shumë skuadër kupash sesa kampionati. Krejt ndryshe nga tradita me Mauricio Sarrin, gjithçka ka ndryshuar dhe Karlo Ançeloti po bën të ndihet përvoja e tij e madhe në Champions. Fitorja 3-2 në fushën e Salcburgut ishte një “deklaratë” e fortë për qëllimet napolitane, menjëherë pas gabimit të barazimit 0-0 në Belgjikë me Genkun. Kjo do të thotë se kur Napoli e ka seriozisht, shumë pak skuadra mund ta përballojnë.

Njeriu që pati meritën më të madhe ishte Dris Mertens, që shënoi dy gola, dhe belgu tani u barazua me legjendën Diego Armando Maradona, me nga 115 gola me fanelën e Napolit. Përpara tyre është vetëm ish-kapiteni Marek Hamshik me 121. Mbrëmja ishte e përsosur jo vetëm sepse italianët mbajtën vendin e parë në grupin, ku janë bashkë me Liverpulin, dhe se Mertens barazoi Maradonën, por edhe sepse pati një paqësim mes Ançelotit dhe yllit të skuadrës, Lorenco Insinjes. Ky i fundit shënoi golin e tretë, atë që vulosi fitoren 3-2, dhe shkoi me vrap të përqafonte trajnerin. Jo më kot presidenti De Laurentis u shpreh pak ditë më parë se “Insinje duhet të kuptojë se trajneri nuk ka asnjë personale me të, trajneri është trefishi i moshës së tij”.

Sfidanti.al