Nuk i ka ndierë deri tani, por duket se kjo gjendje do të ndryshojë, madje që nga sezoni i ardhshëm. Mançester Junajtid, këta vjet, ka fituar shumë financiarisht duke rritur të ardhurat edhe pse skuadra nuk ka qenë aspak e shkëlqyer në fushën e lojës. Gjithsesi, një nga marrëveshjet më fitimprurëse, ajo për sponsorin në fanelë, duket se nuk do të rinovohet.
Sponsori Shevrolet, pjesë e grupit GM (Xhenerël Motors), nuk ka ndërmend të vazhdojë pas vitit 2021, sepse shuma prej 64 milionë paundë stërlinash në vit që i jep Junajtidit, i duket tepër e madhe për një klub që nuk lufton për tituj apo për Champions. GM nuk ka qenë kurrë i kënaqur me akordin, aq sa shefi global i marketingut, Xhoel Juanik, u shkarkua 48 orë pasi u lajmërua marrëveshja.
Gjithsesi, kontrata me vlerë 410 milionë paundë stërlina në 7 vjet (2014-2021) u nënshkrua në kohën kur Junajtid kishte në stol Sër Aleks Fergusonin dhe fitonte Premier Ligën, e po ashtu ishte pretendent edhe në Champions. Kjo kontratë është më e madhja në Angli, dhe Mançester Siti, që ka vendin e dytë në këtë renditje, fiton 45 milionë paundë stërlina në vit.
Sfidanti.al