Të gjithë i kujtojnë këto pamje, kur një ushtri uniformash blu kishte rrethuar stadiumin “Elbasan Arena”, për të garantuar sigurinë e miqve që na kishin ardhur nga Izraeli, thjeshtë për të luajtur një ndeshje futbolli. Më parë, takimi ishte programuar të zhvillohej në “Loro Boriçi”, por Shkodra u klasifikua si një vend i pasigurtë dhe më pas u fol për kërcënime nga ISIS, ndërsa vendin e mori në dorë Mosad. Ishin ata që mbikqyrnin këtë kordon policor të ekzagjeruar dhe për hir të këtyre masave, stadiumi ku do të luhej nuk u mbush me tifozë, ndërsa atmosfera ishte shumë e vakët.
Ndërkohë izraelitët nuk ndjehen të sigurtë askund dhe tashmë janë ankuar dhe në prag të transfertës tjetër, asaj që do të luajnë në Spanjë. Vendasit kanë caktuar stadiumin “El Molinon” të Gihonit, për ndeshjen me përfaqësuesen hebreje dhe pikërisht për këtë arsye kanë ardhur reagimet e ashpra nga përfaqësuesja europiane e Lindjes së Mesme. Sipas tyre është e papranueshme që kjo ndeshje të luhet në Gihon, pasi provinca e Asturias njihet për mbështetjen e saj në çështjen palestineze. Por atje është Spanjë dhe jo Shqipëri, kështu që është e vështirë të ndryshohet stadiumi dhe qyteti të sigurohet me Mosad.