Bashkë me Juventusin dhe Napolin, u përcaktuan edhe dy skuadrat e fundit të Serisë A që do të luajnë edicionin tjetër në Ligën e Kampionëve. Atalanta e Bergamos ka një vend të veçantë mes tyre, duke u kualifikuar për herë të parë në histori, dhe duke realizuar një mrekulli që mund të quhet edhe më e madhe sesa fitorja e titullit nga Juventusi. E tillë është diferenca financiare dhe në traditë e dy klubeve.
Bergamaskët tejkaluan vetveten, dhe realizuan objektivin duke dalë në vend të tretë, ndërsa në të katërtin përfundoi Interi, që gjithashtu “e preu biletën” e Championsit. Jashtë elitës mbeti skuadra më e famshme e Italisë në Europë, Milani, edhe pse fitoi në fushën e Spalit.
Edhe pse e kaloi një “drithërimë”, pas golit të Domeniko Berardit, sërish Atalanta e trajnerit Gasperini reagoi shpejt. Zapata barazoi në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, shpejt e shpejt realizuan Gomez e Pashaliç. Një sherr pranë fundit e prishi jo pak imazhin e ndeshjes, dhe dy lojtarë të Sasuolos, Berardi e Manjaneli, u përjashtuan me kartonë të kuq.
Interi gjithashtu ia doli, por u trondit jashtë mase. Detyra u duk tërësisht e përballueshme në “San Siro” ndaj Empolit, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Balde Keita shënoi në 51’ për zikaltërit, veçse Mauro Ikardi humbi penalltinë në 61’ dhe Hamed Traore barazoi për miqtë. U desh goli i Naingolanit, nëntë minuta para fundit për të qetësuar tifozët dhe skuadrën.
Milani mbeti jashtë dhe pse fitoi në Ferarrë. Çalhanoglu dhe Kesi i dhanë epërsinë 2-0, por Vikari dhe Fares barazuan për Spalin. U desh penalltia e Frank Kesit që të siguronte pikët për skuadrën e Xhenaro Gatuzos, që do të luajë në Ligën e Europës, së bashku me Romën (2-1 ndaj Parmës) dhe Lacion, si fituese të Kupës së Italisë.
Sfidanti.al