Sa më shumë i afrohemi finales së Kupës, edhe më shumë na shpojnë fjalët jo dosido të ish-trajnerit të Kukësit, Armando Cungu: “ Më shkarkuan nga posti i trajnerit të Kukësit, ngaqë do të fitojnë Kupën”. Kjo frazë kumboi enigmatike kur u tha, por mbeti e freskët edhe pas ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës, ku si për “mrekulli të fatit ”, dy ndeshjet Skënderbeu –Kukësi dhe Tirana- Luftëtari, u përmbytën nga golat. Tirana, e cila javë më parë qau me dënesë në emër të aleancave që sundojnë ligjin e “xhunglës” në kampionat , gati preku qiellin e shtatë, madje dhe të tetin, kur përcolli pa teklif 5 gola në portën fizarmonikë të gjirokastritëve, kurse Kukësi , pati luksin e “rrallë” që ta gjente Skënderbeun me “temperaturë”, aq i trazuar nga dhimbjet, sa ngatërruan edhe portën gjatë 90 minutave.
Ka vitet që thuhet poshtë e lart, majtas dhe djathtas, se nëse do të kuptosh konceptin e besës në futboll, Kupa e Shqipërisë është vendi ideal, ku fjala e dhënë nuk bëhet dysh, ku pabesia nuk ekziston, ku të gjithë kanë privilegjin të shpallen orakuj, ngaqë e dinë fundin. Cungu do të kujtohet si “spiun” nga njerëzit e sistemit, sepse pati guximin të zbulonte letrat pa u ndezur akoma loja. Pyetja që mund t’i bëjnë kolegët Armando Cungut, sidomos ata trajnerë që kanë bërë histori me trofe të fituar në sajë të kombinacioneve të shefave, mund të duket provokuese : “ Po sikur Cungu të mos ishte larguar nga Kukësi, a do të kishim fatin e madh që trajneri të na zbulonte fundin e paracaktuar të Kupës?” Në vend të përgjigjes, sikur na vijnë vargjet e këngës epike : “ Hidhni ..Kupa dhe puthni çupa!” Kuptohet, kur çupa është ..FSHF-ja..
Sfidanti.al