Kanë nisur gjysmëfinalet e “play-off”-it në NBA, duke dhuruar menjëherë emocione dhe rezultate të forta. Në Konferencën e Lindjes, New York Knicks treguan forcën e tyre duke shkatërruar Philadelphia 76ers me rezultatin e thellë 137-98 në parketin e tyre.
Sfida ishte praktikisht pa rivalitet, me vendasit që morën kontrollin që në fillim dhe nuk e lëshuan asnjë moment. Protagonist absolut ishte Jalen Brunson, i cili realizoi 35 pikë, duke udhëhequr ekipin drejt një fitoreje bindëse. Interesant fakti se të gjithë 14 lojtarët e aktivizuar nga New York kontribuan në pikë, duke shënuar secili të paktën nga dy pikë.
Në Konferencën e Perëndimit, Minnesota Timberwolves vazhdojnë të habisin, pasi morën një fitore të rëndësishme 104-102 në fushën e San Antonio Spurs. Ishte një përballje shumë e luftuar dhe e balancuar deri në sekondat e fundit. Për miqtë u dallua Julius Randle me 21 pikë, ndërsa Anthony Edwards shtoi 18 të tjera. Nga ana tjetër, për Spurs nuk mjaftuan 18 pikët e Harper.
Sfidanti.al

