Tifozët e Liverpulit : Ne jemi të mallkuar për të dale kampion!

Liverpuli po e pret kurrorën e kampionit të Anglisë që nga viti i largët 1990. Ky klub, qëkur është krijuar Premier Liga, nuk ka fituar asnjë trofe të saj dhe ka qenë disa herë pranë, por i “ka ngrënë këmba dhe” në finish, ndërkohë që edhe tani, kur kanë mbetur edhe vetëm 90 minuta që të përfundojë Premier Liga, duket si ai përsëri do të mbesë duarbosh, megjithëse është vetëm një pikë larg Mançester Sitit të vendit të parë, por ndeshjen e fundit klubi “qytetar” e ka të lehtë kundër Brajtonit modest.
Tifozët liverpulas shpresonin se Lesteri do ta ndalonte Sitin në ndeshjen e fundit të Premier Ligës, por deri në min. e 70, kur, nuk dihet se nga ku, doli qendërmbrojtësi Vinsent Kompani që lëshoi nga 30 metra një “bombë” të vërtetë që jo një portier, por as dy portierë nuk e kapnin dot. Goli i ngriti në këmbë të gjithë tifozët e Sitit që kaluan në ekstazë, ndërsa ata në Liverpul – në shok, heshtje dhe dëshpërim.
Tifozët e Liverpulit, mbas atij goli të tmerrshëm, të realizuar nga stoperi i Sitit, Kompani, konkluduan se ata i kanë mallkuar.
“Kur Kompani bën gol nga 30 metra, bëhet e qartë se neve na kanë mallkuar”, shkroi në rrjetet sociale një tifoz i Liverpulit, kurse një tjetër: “Ajo që bëri Kompani, dukej e pamundur. Neve na kanë mallkuar”! Ndërsa një tifoz i tretë shkroi: “U mor vesh, neve na kanë mallkuar”!
Sfidanti.al