Në fushë ishin tre shqiptarë, nga të cilët njëri u lumturua deri në fund, tjetri u dëshpërua thellësisht, ndërsa i treti pati ndjenja të përziera, pra përgjysmë. Napoli-Atalanta përfundoi 1-2 dhe ndër më të kënaqurit në fushë ishte mbrojtësi i miqve, Berat Gjimshiti. Lojtari i kombëtares shqiptare është kthyer në një “shtyllë” të vërtetë të skuadrës më të veçantë të sezonit në Serinë A.
Atalanta është ai ekip që ka mundur të mëdhenjtë (Interin, p.sh.), ka eleminuar Juventusin nga Kupa, dhe që mund të “djegë” Milanin në garën për Championsin. Në një garë të shkëlqyer, bergamaskët kanë 56 pikë, po aq sa Milani, duke qenë mbi Romën, Torinon e Lacion, rivalët e tjerë për vendin e katërt.
Nëse Gjimshiti i pati të gjitha arsyet që të lumturohej, nuk mund të thuhet kështu për Etrit Berishën, që sërish e ndoqi ndeshjen nga stoli. Portieri i kombëtares shqiptare e ka humbur vendin e titullarit ndaj Golinit, dhe kjo për meritë të shokut të skuadrës, jo për ndonjë “tekë” të trajnerit Gasperini. Pikërisht Gasperini u shpreh se “Atalanta arriti një fitore fantastike, ndërsa jemi edhe ne në garën për Champions”.
Elseid Hysaj, ndërkaq, mund të kënaqet që luajti sërish si titullar për Napolin e Ançelotit, por padyshim që duhet të dëshpërohet që doli nga fusha i mundur. Kapiteni i kombëtares nuk është se e rrezikon vendin në Champions, pasi Napoli është 11 pikë larg vendit të katërt, por fundi i sezonit po del zhgënjyes.
Sfidanti.al