Talenti nuk mungon, madje është diçka që i është “dhuruar me bujari”, por ja që kjo nuk mjafton. Mauro Ikardi qenka e thënë të ketë probleme thuajse kudo ku luan, dhe pas krizës së zgjatur në kombëtaren e Argjentinës, nuk po i përfundon as periudha “e zezë” me Interin. Pas ndeshjes ndaj Romës, në “San Siro”, ultrasit interistë arritën deri aty sa të mos i përmendnin as emrin ish-kapitenit të tyre.
“Ky njeri i vogël që mban numrin 9 nuk e meriton Interin, – shkruhet në deklaratën e ultrasve, – pasi ai nuk ka treguar as minimumin e korrektesës profesionale, që duhet ta tregojë çdo i punësuar në një kompani, duke shprehur respekt për fanelën, për publikun që beson tek ai, ose të paktën për kompaninë për të cilën punon”.
Ikardi nuk pranoi të luantë për më shumë se një muaj, pasi iu hoq shiriti i kapitenit, duke pretenduar se ishte i dëmtuar, ndonëse mjekët e Interit nxorrën përfundimin se ai nuk kishte lëndim fizik. Po ashtu, ai u qortua nga trajneri Luçiano Spaleti, ndërsa u kthye në skuadër pa u kërkuar falje shokëve. Me shumë gjasë, Ikardi nuk do të jetë tek Interi sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al