“Mesi nuk ka rivalë”, “Mesi gëlltiti një tjetër ligë”, “Tepër shumë Mesi, tepër pak La Liga”, “Si ta përkufizojmë këtë gol? Mrekullia e Mesit që hyn në Top 10 të karrierës së tij”. Nuk mbaronin titujt për Lionel Mesin, ndonëse kishte kaluar vetëm 1 orë nga përfundimi i ndeshjes Betis-Barcelona në La Liga. Katalanasit fituan 4-1, u shkëputën në 10 pikë nga Atletiko e Madridit, duke e pasur titullin tani një formalitet.
Mesi shënoi 3 nga 4 golat (një tjetër, Suarez) duke iu afruar shifrës 600 me Barcelonën (591 deri tani), si dhe duke qenë në kuotën e 39 golave këtë sezon. Me shumë gjasë mund të shkojë në 50 apo më shumë, diçka që e ka bërë edhe 5 herë më parë në karrierë.
Me 29 gola në 26 takime në La Liga, kapiteni i Barçës shkon drejt Topit të Artë në Spanjë (Piçiçi) si dhe Topitë Artë në Europë, duke e lënë pak më mbrapa rivalin e vetëm, Kilian Mbapenë. Leo iu përgjigj trigolëshit të Kristianos (në Champions), dhe tani ka 51 trigolësha në karrierë, ndaj 52 të Ronaldos. Më kryesorja, ai është në prag të fitores së titullit të 10-të kampion në karrierë, që të gjithë me Barcelonën, për të synuar rekordin absolut të Fransisko Gentos me 12.
Sfidanti.al