Nëse duhej një provë për të dhënë se kjo skuadër vlen, madje edhe pa ish-kapitenin, nuk mund të gjendej më e mirë sesa derbi. Interi ia doli duke marrë një fitore të madhe ndaj Milanit, në një stadium të stërmbushur sidomos me tifozë kundërshtarë, por edhe duke ia përplasur në sy Mauro Ikardit të vërtetën se një ekip vlen më shumë sesa një lojtar. Sidomos, kur ky lojtar mendon të kundërtën.
U desh gjithë përvoja dhe aftësia profesionale e Luçiano Spaletit, për të qetësuar lojtarët e tij dhe për t’i bërë që të ishin të bindur se mund t’ia dilnin ndaj një Milani me 5 fitore radhazi në Serinë A. Ashtu siç shkoi derbi, kuqezinjve të Gatuzos nuk u mjaftoi zemra dhe shpirti që e lanë në fushë, pasi zikaltërit treguan më shumë cilësi. Interi e qarkulloi më mirë topin dhe u përshtat më shpejt me ndeshjen, duke shënuar që në minutën e 3-të.
Goli i Vesinos ndikoi direkt, dhe të besuarit e Spaletit ishin më të qetë sesa ata të Gatuzos. Goli i dytë i De Vrajit sikur zgjoi kuqezinjtë që reaguan shpejt dhe shkurtuan diferencën me një gol të ngjashëm të Bakajokos. Gjithsesi, u desh një penallti që normalisht ishte e tillë, por jo nga ata 11-metërshat “e qëruar”, që Interi të rivendoste epërsinë dygolëshe. Lautaro Martinez nuk gaboi në 67’, por asgjë nuk kishte përfunduar, pasi ky nuk ishte një derbi i zakonshëm.
Mateo Muzakio sërish afroi Milanin në 71’, ndërsa minutat e fundit ishin vërtet dramë. Arbitri përjashtoi Kontin e Milanit për një ndërhyrje të ashpër ndaj Lautaros, ndërsa më pas e ktheu të kuqin në të verdhë, pasi u këshillua me VAR-in. Pamjet e përsëritura treguan se i kuqi ishte i merituar, por ndoshta gjyqtari deshi të ekuilibronte situatat pas penalltisë disi “të lehtë” për Interin.
Milani pati dy raste të mirë në fund, me Kastijehon me kokë (ndaluar me trup nga Handanoviç) dhe me Kutronen, që e ndaloi sërish me trup D’Ambrozio. Fitoi Interi dhe u ngjit në vend të tretë, një sukses i rëndësishëm për moralin, por edhe për kualifikimin për në Champions, pas krizës “Ikardi” dhe eleminimit nga Liga e Europës.
Sfidanti.al