Rikthimi i Zinedine Zidane në pankinën e Realit të Madridit ishte lajmi më i mirë për Iskon e Kejlor Navas të cilët u kthyen të luajnë titullarë në në përballjen me Selta Vigon. Vetë portieri kostarikan nuk e fshehu aspak entuziazmin e tij për këtë ndryshim të bërë në skuadër duke mos i kursyer aspak thumbat ndaj trajnerit të mëparshëm, Santiago Solari.
‘Nuk dua të bëj krahasime mes trajnerëve, e kaluara është e kaluar-tha Navas-tani po punojmë mirë dhe në skuadër është kthyer alegria. Zidan flet me të gjithë një nga një, por nuk e di nëse ndryshimi ishte i nevojshëm, klubi e mendoi që ishte i tillë dhe ne duhet të jemi profesionistë’
Navas më pas foli për mundësinë e largimit të tij nga Reali i Madridit në fund të sezonit.
‘Ka ende kohë për të folur për të ardhmen-tha Navas-unë mendoj për të tashmen dhe luftoj për të pasur një mundësi si ajo që ndodhi të shtunën. Të mendosh për të ardhmen do të thotë të humbasësh perspektivën e së tashmës. Gjithnjë kam thënë se prioriteti im është që të qëndroj këtu, por gjërat mund të ndryshojnë. Gjithnjë jam stërvitur me profesionalitet gjë që do ta bëj gjithnjë’.
sfidanti.al