Është i vetmi rival i Lionel Mesit për Këpucën e Artë të Europës, ndërsa shënoi golin e 26-të në Ligën e Parë franceze këtë sezon, në derbin ndaj Marsejës. Kilian Mbape, megjithatë, e mendon veten larg kryeqytetit të Francës, madje larg ligës së saj. Gazeta “Marka” njofton se një familjar i Mbapesë ka deklaruar se “ai e sheh veten duke luajtur me Realin, vitet e ardhshme”.
Kur do të ndodhë që 20-vjeçari të braktisë PSG-në për Madridin? Afati më normal duhet të jetë këtë verë, pasi Zinedin Zidan është kthyer në stolin e Realit, besohet, pasi iu dhanë garanci se do të ketë përforcime të ndjeshme. Në 2017, Mbape u pyet nëse do të shkonte në “Bernabeu”, ndërsa po largohej nga Monako, dhe ai u përgjigj: “Nëse e bëj 18 vjeç, çfarë do të bëj kur të jem 23?”
Kampioni i botës besohet është bindur nga dështimi i dytë radhazi i parizienëve në Champions, që u eleminuan nga Mançester Junajtidi, ndërsa vjet i mundi Reali. PSG, ndërkaq, fitoi 3-1 derbin ndaj Marsejës në Paris, me gol të Mbapesë dhe dy rrjeta të Angel Di Marisë.
Sfidanti.al