Partizan, nuk humbe, por të bllokoi një ekip 20 pikë pas teje!

Trajneri Skënder Gega nuk mundi të mos e theksonte pas ndeshjes se “priste më shumë nga skuadra e tij, kur kishte përballë një kundërshtar që është 20 pikë prapa. Partizani nuk arriti ta kënaqte trajnerin e tij dhe as ata 1 600 tifozë në stadium, si dhe dhjetëra e dhjetëra mijë përpara televizorit.

Kryeqytetasit e kuq u bllokuan nga kryeqytetasit bardheblu në stadiumin “Selman Stërmasi”, madje në 45 minutat e para mund të thuhet se nuk po dinin se nga po shkonin. Dy herë Ngo, një herë Kobina, por edhe lojtarë të tjerë patën mundësi të shënonin për Tiranën që nuk arriti, gjithsesi, ta thyejë tersin dh eta fitojë derbin e parë që nga fillimi i vitit 2014.

“Nëse do të kishte qenë ndeshje boksi, Tirana do ta kishte fituar”, – ishin fjalët e Ardian Memës, trajnerit bardheblu, që i ka kthyer lojën dhe besimin të vetëve, por që nuk po mundet ende t’i kthejë fitoren në derbi.

Në “Selman Stërmasi” u duk sikur po luanin, jo ekipi i vendit të shtatë me atë të vendit të parë, por dy skuadra të barabarta në renditje, madje me Tiranën që u duk më lart. Gjithsesi, pas pushimit, të kuqtë ndreqën problemin nga krahët, duke mos i lejuar më kundërshtarët të depërtonin aq lirisht drejt portës së heroit Alban Hoxha, portierit dhe kapitenit të kuq që ishte fituesi i vërtetë i derbit që përfundoi 0-0.

Sfidanti.al