Bajerni spiunohet në Hamburg nga një ekip i … kategorisë së katërt

Pati disa ditë në dispozicion deri në fillim të Bundesligës, që nga fitorja 5-0 ndaj Frankfurtit në Superkupën e Gjermanisë. Trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, dhe klubi e kishin rregulluar që të luanin një përgatitore të fundit, siç ndodhi mbrëmë në stadiumin e legjendës Hamburg (tashmë në kategorinë e dytë). Bavarezët triumfuan me përmbysje 4-1 në “Folksparkshtadion”, por Kovaç nuk e dinte se në tribunë ndodheshin dy “spiunë”.

Ishin trajneri dhe kapiteni i skuadrës amatore të Drohterzen/Aselit (Liga Rajonale e Veriut), kundërshtarit të radhës për Bajernin në Kupën e Gjermanisë. Trajneri Lars Uder dhe kapiteni Sëren (Soeren) Berman, ishin në shkallët e stadiumit të Hamburgut, duke u përpjekur të spiunonin kundërshtarin e tyre madhështor, ndoshta duke menduar se mund ta eleminojnë.

“Deshëm të shikonim çdo detaj të Bajernit, – tha trajneri, – gjë që nuk mund ta bësh kur e sheh ndeshjen në televizor. Ne nuk duam që të zihemi shumë në befasi”.

Në Drohterzen entuziazmi është i madh për ndeshjen e kësaj të shtune. Është shtuar kapaciteti i stadiumit, nga 3 000 në 7 500 vende, duke përdorur tribuna portative, ndërsa klubi nuk deshi të shkonte në stadiumin e Sankt Paulit në Hamburg. “Një herë në 100 vjet të vjen Bajerni në qytet”, – thotë kryebashkiaku Majk Ekhof.

Kapiteni Berman bën shaka duke thënë se “ne duam të paraqitemi më mirë sesa Hamburgu, një rezultat me më pak se 8 gola të pësuar, do të ishte shumë i mirë”.

Sfidanti.al