Duhej të ishte festa e nisjes së sezonit, por u kthye në një festë të dhunës. Lajmi i parë i ndeshjes së parë të Superligës nuk ishte rezultati mes dy rivalëve ndër më kryesorët vitet e fundit, Skënderbeut e Partizanit, por përleshja mes tifozëve. Rinia e edicionit, dalja e Policisë së Shtetit jashtë stadiumit, ishte edhe sprova sesa do të ishin në gjendje t’ia dilnin klubet vendase, për garantimin e sigurisë, me polici private dhe me kamera.
Në Korçë pati dështim, edhe pse për fat pa pasoja të rënda. Shumë pak agjentë privatë të sigurisë, edhe ata shumica tek tribuna e tifozëve të Partizanit, ndërsa fëmijë të vegjël nisën të hynin në fushë që pa nisur më e keqja.
Në minutën e 72-të, ajo së cilës i trembeshin të gjithë ndodhi, dhe shumë tifozë hynë lirshëm në fushë. U desh që policia e shtetit të thirrej në ndihmë dhe ajo vendosi rregullin. Frika është e madhe edhe për ndeshjet e tjera, duke nisur që nga kjo e shtunë.
Përsa i përket takimit, pavarësisht se raportet në fushë kishin ndryshuar, rezultati ishte sipas tendencës së viteve të fundit. Fitore e ngushtë e Skënderbeut, me penallti fituar në minutën e fundit nga Bregu, dhe të kthyer në gol nga Gjergji Muzaka, i njëjti skenar si ndaj Laçit.
Fitorja në Superkupë nuk paska qenë një rastësi, ndërsa trajneri Orges Shehi, ashtu si presidenti Takaj, po besojnë gjithnjë e më shumë se titulli mund të fitohet sërish, edhe pse shumë lojtarë janë larguar. Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Një ekip fitues nuk mposhtet lehtë, dhe Skënderbeu edhe gjatë ndeshjes pati më shumë epërsi dhe raste.
Zhgënjim i madh, ndërkaq, për kryeqytetasit, që besonin se nuk do të dilnin pa pikë nga Korça. Skuadra e trajnerit Gega u tregua e rrezikshme vetëm në fund, gjë që nuk mjaftoi.
Sfidanti.al