Spanja humb Mjeshtrin Iniesta, por siguron kapitenin Ramos

Që nga shtatori, Spanjës dhe futbollit botëror do t’i mungojë diçka e madhe. Kjo “diçka” e ka emrin Andres Iniesta, dhe ata që do të duan ta ndjekin sërish magjinë e tij, duhet të blejnë dy bileta për në Japoni, një avioni dhe një për në stadium. “Don Andres” e ka mbyllur me seleksionin spanjoll dhe me Europën. Klasi i tij mbetet, por jo energjia me moshën që është tani 34 vjeç.

Me Iniestën mbyllet një epokë, ajo e “tiki takës”, e shquar me fitoret e saj të shumta me Barcelonën dhe Spanjën, e shquar edhe me disfatat e mëdha, sidomos pas vitit 2012 me ekipin përfaqësues. Iniesta ishte një nga shtyllat e skuadrës që dominoi futbollin e kombëtareve, kampion Europe në 2008, kampion bote në 2010, kampion Europe në 2012. Me Barçën fitoi aq shumë sa nuk mund të përmenden.

Spanja humb Iniestën dhe “tiki takën”, por siguron të paktën besnikërinë e kapitenit Sergio Ramos. “Do të jem në Katar 2022, edhe sikur të duhet të shkoj me mjekër të thinjur”, – ishte britma e mbrojtësit të Realit të Madridit. Bashkë me të, do të jetë Spanja madrilene e Iskos, Naços, Karvahalit, Asensios e Lukas Vaskezit, si edhe e mjaft yjeve të tjerë që do të duan të hapin një epokë të re.

Sfidanti.al