O Zot, sille shpejt shtatorin, çunat e Kombëtares do na.. mrekullojnë!

Odise Roshi, djaloshi më i shpejtë kuqezi në atë që quhet futbolli vertikal,  është treguar lakonik, mos themi tepër i kursyer, pas dramave tuprpëruese me Kombëtaren në dy ndeshjet e fundit miqësore. Sa herë që kujton se Panuçi në tri ndeshjet  e fundit e ka zëvëndësuar, thuajse bëhet gati për peshqirin e lagur. “ Nuk e di se ç’ka me mua, por më ka larguar nga fusha ndeshjet e fundit..”. Në fakt, për hir të së vërtetës, nga ajo që kemi  pikasur, italiani  nuk është aq budalla sa duket nga ato që po ngjasin në fushë , dhe kjo zbulohet kur flet jo vetë ai, por shqiptari i vetëm që ka sipër kokës. Ja fjalët e presidentit Duka: “ Kur të fillojnë ndeshjet e shtatorit, ato të Ligës së Kombeve, pres një futboll tjetër”.  Sipas kësaj logjike, bataku ku ramë në këto ndeshje vere u lejokan edhe nga sipër, kurse në shtator do të jetë ndryshe. Secili do të shkojë në rolin e tij , secili do të marrë minutat që i takojnë dhe do të çuditeni se si çunat kuqezi do të zbukrurohen aq shumë, sa do të themi : “ I paskemi rënë kot më qafë Panuçit…”

Një Kombëtare që ka luajtur më mirë kur ka qënë pa trajner, se sa tani me trajner, pas asaj që kurdisi në fushë, po tregohet jo shumë e sinqertë tani në lojën e fjalëve. Të gjithë habiten me vendimet e trajnerit, me pazotësinë e tij, duke i dhënë një shkelm gjithë “bonboneve” që u ndanë pas ndeshjes me Turqinë. Edhe Hysaj që flet më pak se shokët e tij, sidomos në këto ndeshjet e minuara , flet si në gjëmba, për një ekip që u shtir si një pacient  që  ka nevojë për dializën e gjakut. “ A kemi futbollistë mjaftueshëm për t’i shkuar nga pas kësaj skeme? Unë nuk e di, këtë duhet ta di trajneri…” Kur flitet për sinqeritet për ndeshje të pasinqerta,  futbollistët bëhen aktorë hileqarë . Pale kur telekomandohen që të pickojnë   trajnerin nga poshtë, sepse ata lart do të luajnë lojën e bamirësit të duruar, duke e mbrojtur atë.

Le të presim shtatorin se nuk do të ketë më qoka me futbollistë epruvete, do të na marrë malli për gafa si ato që pamë në ndeshjen me Kosovën dhe me Ukrainën. Do të na marri malli edhe për predikimin Panuçian për lojë sulmuese, ku të gjithë e dorëzojnë portën e vet, më e bukura, dhe s’dihet  ku shkonin, se nuk ishin as tek porta e kundersharit…

 

Sfidanti.al