Reali i Madridit ka shansin që, mbas katër dekadash, të bëhet ekipi i parë që do të mund të realizojë një “hat trick” (“tregolësh”), pra, ta fitojë Champions-in evropian për herë të tretë radhazi, por, nëse shumëkush e konsideron Realin si favorit, vetë trajneri i këtij të fundit, Zinedin Zidane, tregohet shumë i rezervuar, duke vënë në dukje se në finale, asnjëherë, nuk ka favoritë dhe se asnjë lojtar në dhomën e zhveshjes së klubit madridas nuk e konsideron veten favorit.
“Kjo është finale dhe nuk ka favoritë. Shanset janë 50 me 50 për qind dhe ne duhet të zhvillojmë ndeshjen më të mirë, nëse duam të fitojmë. Sa për mua, sa më i madh që bëhet presioni, aq më mirë më bën mua. Ne jemi njerëz dhe kuptohet që do të kemi edhe emocione. Të luash në finale nuk është e lehtë, aq më tepër për herë të tretë radhazi. Sipas meje, është e mrekullueshme të luash në finale, unë jetoj për ketë, ky është pasioni i vërtetë”, tha Zidane, duke pranuar se ka dhimbje koke sa i përket formacionit të parë, sepse ka në dispozicion futbollistë të jashtëzakonshëm, ndërkohë që shprehu respektin e tij edhe ndaj trajnerit të Liverpulit, Jyrgen Klop.
“Si lojtar, unë kam qenë më i mirë sesa Jyrgeni që, në fakt, nuk ka luajtur keq, por, si trajner, unë kam një respekt të madh për të. Ai ka një përvojë të madhe dhe karrierë e suksese të shënuara. Nuk mund të them se jemi të njëjtë, sepse jemi krejtësisht të ndryshëm”, vuri në dukje legjenda franceze e futbollit.
Sfidanti.al