Mbrëmja kur humbet treshja e madhe e NBA-së!

Golden Stejt Uorriors, Klivlend Kavaliers dhe Hjuston Rokits janë këtë sezon treshja e madhe e NBA-së, edhe pse nënkampionët e Lebron Xhejmsit nuk ndodhet në pozitat më të mira. Gjithsesi, edhe të mëdhenjtë humbasin, por është e rrallë kur humbasin në të njëjtën mbrëmje. Qëlloi që të tria të ishin në udhëtim dhe të mundeshin.

Hjustoni, ekipi i renditur më mirë këtë edicion, e pësoi në fushën e Torontos, gjithashtu të fortë, me shifra të ngushta 105-108. Udhëheqja e Xhejms Hardenit nuk mjaftoi dhe seria e fitoreve radhazi u ndal në 17. Kajl Louri shënoi 30 pikë dhe dha 6 asiste, ndërsa në ndihmë të tij ishin DeRozan, Valanciunas e Ibaka. Harden shënoi 40 pikë, por ishte sërish pak.

Golden Stejti pësoi një humbje pak më të rëndë në fushën e Portlendit, 108-125. “Ne jemi ekipi i vërtetë”, – u shpreh lideri i vendasve, Damien Lilard, që luajti një ndeshje të denjë për Lojtarin më të mirë të sezonit. Lilard shënoi 28 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 8 asistë, duke qenë i fortë edhe në mbrojtje. Kevin Durant ishte i shkëlqyer për kampionët, duke shënuar 40 pikë (Klej Tompson pati 25), por Golden Stejti ndjeu mungesën e Stefën Kërrit të dëmtuar.

Së fundi, Klivlendi e pësoi në Los Anxhelos nga Klipersat. Diferenca nuk ishte aq e vogël, 102-116, ndonëse Lebron Xhejms u përpoq të bënte detyrën me 25 pikë, 10 topa në tabela, 6 asistë, 3 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh.

Në renditje, Hjustoni kryeson Konferencën Perëndimore me 51 fitore e 14 humbje, e Golden Stejti është i dyti me 51 fitore e 15 humbje, ndërsa Klivlendi i treti në Lindje me 38 fitore e 27 humbje.

Sfidanti.al