Euroliga, CSKA përfundimisht e para, Fenerbahçe në plej of

Pati dy objektiva të realizuar këtë javë të Euroligës në basketboll për meshkuj. Skuadra më e mirë e sezonit deri tani, CSKA e Moskës, siguroi përfundimisht vendin e parë në renditje, pra do të ketë avantazhin e fushës në çerekfinale, si dhe teorikisht një short të favorshëm në katërshen finale (nëse arrin deri aty).

Moskovitët mbetën edhe skuadra më ofensive e kësaj kupe, pas fitores 101-76 në fushën e tyre ndaj Unikahës së Malagës. Nando De Kolo ishte më i miri me 23 pikë, ndërsa bashkë me të ishin mirë Klajbërn, Rodrigez, Kurbanov e Hanter. Kampionia e Rusisë ka shënuar 2250 pikë në 25 javë, plot 126 pikë më shumë sesa ekipi që e ndjek më nga afër për realizimin e pikëve, Reali i Madridit.

Skuadra tjetër e kënaqur e kësaj jave është Fenerbahçe që siguroi plej ofin. Kampionia e Europës në fuqi fitoi në fushën e Zhalgirisit, dhe mbajti fort vendin e tretë në renditje, duke garantuar se nuk do të zbresë poshtë vendit të 8-të, edhe nëse i humbet të gjitha takimet e mbetura.

Skuadrat e tjera që fituan këtë javë ishin Reali ndaj Panathinaikosit në Madrid, Makabi në fushën e Anadolu Efesit, Milano në Moskë ndaj Himkit apo Olimpiakosi në Pire ndaj Broze Basketit. Sezoni i rregullt i Euroligës do edhe 5 javë që të përfundojë dhe pastaj të nisë plej ofi.

Sfidanti.al