Në Spanjë flasin për “shtatë mëkatet” e Zinedin Zidanit

Shtatë mëkatet janë shprehje e njohur, dhe këtë herë kjo po i mvishet Zinedin Zidanit. Gazeta “Marka” analizon sezonin e deritanishëm të Realit dhe nxjerr pikërisht 7 gabime të rënda të trajnerit që e sollën gjendjen deri këtu. Që nga kulmi i suksesit, që ishte në pjesën e dytë të finales së Championsit në Kardif ndaj Juventusit, shumë gjëra kanë ndryshuar.

Zidan kritikohet që nuk mbajti Moratën, që largoi Hames Rodrigezin, që nuk mori Mbapenë dhe që i besoi më shumë sesa duhet të rinjve si Sebajos, Teo Hernandez, Jorente apo Majoral. Trajneri kritikohet gjithashtu se shumë shpejt e humbi kredibilitetin e fituar sezonin e kaluar, duke u çoroditur pas nisjes së keqe të La Ligës, krejt ndryshe nga Barcelona.

Kokëfortësia e Zidanit vihet në shënjestër kur vjen puna tek rotacionet. “Plani A” dhe “Plani B”, sipas “Markës”, kanë kuptim kur ke një skuadër të fortë dhe me dinamikë pozitive, ashtu si vjet, jo ekip si Reali i sotëm që, siç thotë me të drejtë Ronaldo, është më i dobët. Rotacioni e dogji në Kupë, që mund të ishte një trofe për t’u fituar, ndërsa kampionati është i humbur.

Zidan nuk ia doli të vepronte me dorë të fortë në ekip, ndryshe nga vjet kur ardhja e tij ishte katalizator për Realin. Shpesh luajtën lojtarë që nuk e meritonin, dhe mbetën në stol ata që ishin më në formë (Isko, Asensio), dhe kjo krijoi krisje në skuadër.

Tashmë, gjithçka luhet ndaj Paris SG në Champions, një bast i rëndë dhe i rrezikshëm. Nëse do të ndodhë më e keqja, pra eleminimi, i bie që Reali do të jetë “me pushime” që në muajin mars.

Sfidanti.al