Alibi serbe : Do të ngrihej një dron tjetër shqiptar mbi Beograd?

Kështu, të paktën, shkruan media serbe që i referohet policisë kufitare serbe që pretendon se ka kapur një dron pa leje që tre shqiptarë e kishin fshehur në makinën e tyre, në përpjekje për ta kaluar kufirin në pikëkalimin kufitar të Preshevës (në jug të Serbisë). Ndonjë konfirmim zyrtar nuk ka, por, sidoqoftë, policia kufitare dhe shërbimi doganor serb, në pikëkalimin kufitar të Preshevës, gjatë një kontrolli rutinë, gjeti dhe konfiskoi një dron, për të cilin tre shqiptarët që udhëtonin me makinë, sipas policisë kufitare serbe, nuk zotëronin dokumentin përkatës. Shqiptarët pretenduan se ata nuk po shkonin për të parë ndeshjen mes Partizanit Beogradit dhe Skënderbeut të Korçës, por për arsye pune. Sidoqoftë, policia kufitare serbe i ktheu mbrapsht të tre shqiptarët, duke mos i lejuar që të hynin në Serbi.

“Megjithëse ne i pyetëm, ata nuk donin të na thonin se përse e

donin dronin dhe, duke pasur parasysh se atë ditë do të zhvillohej ndeshja me rrezikshmëri të lartë mes Partizanit dhe Skëndërbeut të Korçës, ne vendosëm që këta shtetas shqiptarë të mos t’i lejonim që të hynin në Serbi, për më tepër që ata nuk zotëronin dokumentin përkatës për dronin”, vuri në dukje policia kufitare serbe, së cilës i referohet media në Beograd. Sikurse duket qartë, policia serbe nuk ka dashur që të përsëritet një “tetor 2014” tjetër, ku mbi stadiumin e Partizanit në Beograd u shfaq një dron, nga ku varej një flamur i “Shqipërisë së madhe”.

Sfidanti.al