Legjenda Tim Kejhill nuk lejon që Siria të hyjë në legjendë!

Siria ishte vetëm një shtyllë larg pengesës së fundit për në Kupën e Botës. Skuadra e vendit më fatkeq të globit sot për sot, mund të ishte kualifikuar për në plej ofin përfundimtar për në Rusi, nëse Al-Soma nuk do të kishte goditur shtyllën, por do ta kishte dërguar topin në rrjetë pas goditjes së dënimit 20 metra larg portës. Gjithsesi, në vërshëllimën e fundit, ishin australianët që u hodhën përpjetë të lumtur. Fituan 2-1 në fushën e tyre, në Sidnej, ndërsa kishin barazuar 1-1 takimin e parë.

Mëkat për sirianët, që për shkak të luftës e luajtën në Malajzi ndeshjen “në shtëpi”. Mëkat edhe në Sidnej, dhe jo vetëm për shtyllën, pasi Omar Al-Soma e kaloi fillimisht në epërsi në minutën e 6-të. Siria nuk hyri dot në legjendë, pasi në fushë ishte një legjendë, 37-vjeçari Tim Kejhill, që barazoi në 13’, dhe pastaj shënoi golin e fitores në kohën shtesë, në minutën e 109-të. Goli i dytë, vetëm pasi Mahmud Al-Mauas i Sirisë kishte dalë me karton të kuq në minutën e 94-ët. Kejhill arriti në 50 gola me Australinë, që do të ndeshet me vendin e pestë të Amerikës së Jugut.

Sfidanti.al