Ronaldo humb rekordin, por fiton Botërorin, Shaqiri ende “në ajër”!

Ishin katër shqiptarë në fushë, por Zvicra nuk iu shmang dot humbjes “së paralajmëruar”. “Fluturimi” i helvetëve në grupin eleminator B, me 9 fitore radhazi, mori fund në “Estadio da Luz” të Lisbonës. Portugalia vendase, arriti edhe ajo fitoren e nëntë, dhe i shkaktoi zviceranëve humbjen e parë, për ta mbyllur me pikë të barabarta, me rezultate të barabarta me njëri-tjetrin, por me golaverazh më të mirë për “luzitanët”.

Portugalisë i duheshin pikërisht dy gola të paktën, pasi në Zvicër ishte mundur 0-2, dhe ia doli edhe pse Kristiano Ronaldo nuk shënoi dot. Ylli i Realit nuk mundi ta vendoste ai rekordin e ri të eleminatoreve të Botërorit, duke mbetur në kuotën e 15 golave (32 gjithsej, Portugalia), ndërsa Robert Levandovski ka 16. Gjithsesi, CR7-ta siguroi finalet e Kupës së Botës në Rusi.

Do të duhet të luajnë plej ofin Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi dhe Blerim Xhemaili, me të katër që ishin titullarë në Lisbonë, me dy të parët që e mbyllën ndeshjen në fushë, dhe dy të tjerët që u zëvendësuan. Golat për portugezët u shënuan nga Johan Zhuru (autogol) në 41’ dhe Andre Silva në 57’. Zvicra do të duhet të kalojë plej ofin, ku rivalë do të jetë njëri prej Suedisë, Irlandës së Veriut, Greqisë dhe Irlandës.

Sfidanti.al