Ironi historike ,  Barcelona e shiti Katalonjën për 6 pikë!

Mediumet spanjollë vazhdojnë që të shkruajnë gjerësisht për debatin që u zhvillua në dhomën e zhveshjes së katalonjasve, nëse ata duhet të futeshin në fushë që të luanin ose jo me Las Palmasin në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll. Fillimisht, Barcelona kërkoi që ndeshja të shtyhej, mbas incidenteve që ndodhën, pasi policia përdori forcën brutale në përpjekje për të penguar mbajtjen e referendumit për pavarësinë e Katalonjës. Por La Liga kundërshtoi dhe Barça u ndodh përballë kërcënimit të dënimit me humbjen e ndeshjes 0-3, nëse ajo nuk do të dilte në fushë, dhe asaj do t’i hiqeshin tri pikë! Në këto kushte, presidenti i klubit katalonjas, Hosep Bartolemeu, u takua me lojtarët, të cilëve ai iu shpjegoi situatën.

“Nëse ne do ta humbasim titullin, për shkak të këtyre gjashtë pikëve, askush nuk do ta mbajë mend pezullimin, por faktin se ne nuk dolëm dot kampionë”, citon media fjalët që u tha lojtarëve barcelonas Bartomeu. Shumica e futbollistëve donte që ndeshja të zhvillohej, midis tyre edhe kapiteni Andres Iniesta që vuri në dukje se vendimin përfundimtar duhet ta merrte klubi. “Mos na e lini neve në dorë, vendimin duhet ta marrë kryesia e klubit”, tha ai. Në krye të lojtarëve që nuk donin që Barcelona të luante, ishte Zherar Pike. Lionel Mesi nuk tha asnjë fjalë.

Sfidanti.al