Vite më parë, ishte një Dinamo me gjak “blu” dhe me origjinë shqiptare që i shpëtoi jetën Skënderbeut, edhe pse askush nuk mundohet ta mbajë mend apo ta kujtojë më. Tani, një Dinamo tjetër, ajo e Zagrebit kërkon t’i marrë ‘jetën” në Europë, madje për herë të dytë. Edhe pse janë takuar vetëm një herë, dy ekipet s’pushojnë, me shumë poza në media, duke falenderuar shortin si bamirës. Cila po e nënvlerëson më shumë njëri- tjetrën, Dinamo apo Skënderbeu? Loja ka filluar pa etikë dhe pa frena, kur sapo ka rënë “gongu” i shortit, të dy ekipet, sikur ta kishin bërë me fjalë, kanë nisur t’i shkulin “gradat” kundërshtarit. Andej, nga Kroacia, flitet se Dinamo nuk ka çfarë kërkon më shumë nga fati, sepse kanë përballë një ekip që e kanë tundur keq më parë dhe pritet goditja e nokautit këtë herë. Këtej nga anët tona, orkestra e “dasmës” dëgjohet kudo, dhe fjalët e këngës të ngjallin pak frikë: “ Dinamo e Zagrebit nuk është më ajo që ka qënë..” Sikur të ishte vetëm kaq, do të ishte krejt shqiptare, sepse në fund të fundit jemi atdheu i euforisë, por ka nga ata që prekin qiellin e shtatë kur thonë: “ Ja si do ta eleminojmë Dinamon e Zagrebit..”
Këto ditë, Dinamo me të cilën do të përplasim kokën në Europë, arriti një fitore të madhe në Rijeka, kundër kampionëve në fuqi, që nuk humbnin prej disa vitesh në fushën e vet. Edhe renditja flet për Dinamon, që ka nisur shkëputjen, ndërsa skuadra duket e kompletuar dhe loja mjaft logjike. Edhe kjo ka bërë që tashmë mediat në Kroaci ta konsiderojnë një rival të lehtë Skënderbeun në Europa League, por nuk është i këtij mendimi mesfushori i kombëtares kroate Antoliç, i cili kërkon kujdes maksimal: “Jemi në rrugën e duhur, po rritemi nga ndeshja në ndeshje. Edhe renditja është e bukur, me 4 pikë avantazh nga ndjekësit, por nuk mund të relaksohemi. Skënderbeu? Media e ka nënvlerësuar kundërshtarin tonë në Europa League, por duhet të jemi të përgatitur sepse kundërshtari e kemi kapur një herë gafil…”
Sfidanti.al