Zoti Li nga Kina: Donarumën e lë në stol deri në fund të sezonit tjetër!

Mos vallë biznesi “Made in China” është i ndryshëm nga ai europian? Nuk besohet edhe aq, ndonëse disa “nuanca” të ndryshme mund t’i ketë. Presidenti i Milanit, “Mister Li” e ka marrë personale çështjen e Donarumës, duke vendosur të bëjë luftë deri në fund. Të paktën, kështu thotë. Mediat italiane raportojnë se numri 1 i ri i klubit ka deklaruar se nuk ka ndërmend të merret me asnjë ofertë, por do ta lerë në stol portierin deri në fund të sezonit të ardhshëm. Donaruma ka vetëm 1 vit të mbetur në kontratë dhe dëshiron të largohet, Zoti Li e kërcënon duke i thënë se do t’i prishë karrierën.

Kjo përplasje prej xhungle, që të bën të qeshësh me fjalën “demokraci”, nuk dihet sesi do të përfundojë. Li është gati të humbasë disa dhjetëra milionë euro, ndoshta sepse nuk e ka aspak problem diçka kaq “të vogël”, ndërsa për portierin 18-vjeçar nuk është pak të humbasë një vit pa luajtur. Pritet se çfarë këshille do t’i japë Mino Raiola adoleshentit italian, dhe se çfarë ofertash mund të sjellë ai për Milanin. Nëse ato janë vërtet të jashtëzakonshme, Mister Li edhe mund të pranojë. Klubi milanez ndërkaq po mendon për pasardhësin e tij që mund të jetë Leno. Neto apo Perin.

Sfidanti.al