Kristiano Ronaldo mund të largohet, por kjo nuk do të thotë se Reali nuk ka yje të tjerë në skuadër. Bejl, Benzema, Isko, Modriç apo Kros padyshim, por edhe Marko Asensio. Mesfushori sulmues 21-vjeçar, që luan edhe në krah si Ronaldo, shënoi 3 gola në ndeshjen e parë të Spanjës U21 ndaj Maqedonisë U21 në finalet e Europianit. Fitorja ishte 5-0 dhe Asensio ishte lojtari kryesor i spanjollëve të rinj, duke shënuar në mënyra të ndryshme, madje edhe nga distanca prej 30 metrash. Natyrisht, Spanja pati edhe yje të tjerë si Saul Nigez i Atletikos që shënoi një gol, dhe katalanasi Deulofeu që realizoi një tjetër, veçse kryesori ishte Asensio.
Marko 21-vjeçar, lindur në mes të Detit Mesdhe në Majorka, Ishujt Baleare, djalë i një babai spanjoll dhe i një nëne holandeze, u ndoq nga Reali dhe Barcelona, por përfundimisht prindërit e tij pranuan Madridit, duke firmosur kontratën në 2014. Presidentit Florentino Perez ky djalë 18-vjeçar i kushtoi 4 milionë euro, por këtë sezon ai kuptoi se ka bërë një pazar të mirë. Asensio luajti 23 ndeshje, duke shënuar 3 gola në ligën spanjolle dhe 3 herë në Champions.
Sfidanti.al