Gabriele Gravina, njeriu që në Itali është një nga më të kritikuarit për mënyrën se si po e menaxhon Kombëtaren e Kaltër por edhe gjithë lojën e futbollit, dha një mesazh në formë “qoke” gjatë zgjedhjeve për të rimandatuar drejtuest e futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme.
Prania e njeriut që ka dështuar me Italinë e tij gjatë dekadës së fundit në çdo drejtim, ishte sigurisht simbolikë e një momenti krize që po kalon futbolli në nivel drejtues, jo vetëm më Shqipëri por edhe matanë Adriatikut e më gjerë. Gravina tha saktësisht se “këto zgjedhje hodhën themelet e të ardhmes së lojës në vendin tone”. Vallë për cilat themele e ka fjalën z. Gravina? Ato që janë hedhur vit pas viti duke varrosur themelet ekzistuese me premtime për një ndërtesë të fortë që sot po rezulton shtëpi prej letre?
Me një fjali të tillë, në Itali sigurisht që do të kishte grumbulluar gjithë frustrimin e njerëzve matanë kufirit sepse minimalisht aty edhe pse të zemëruar dhe të pafuqishëm për ta lëvizur nga posti që ai e mban me prepotencë, dinë ta dallojnë mirë propagandën dhe gënjeshtrën. Prandaj vizita dhe mesazhi i Gravinës në Shqipëri të sjell në vëmendje atë shprehjen e famshme të “litarit në shtëpinë e të varurit” që Gravina na i kujtoi qartësisht.
Sfidanti.al

