Kukësi edhe një hap drejt titullit, Pejiç mund Flamurtarin!

Ishte heroi i zakonshëm që siguroi fitoren. Pero Pejiç me golin e tij në pjesën e parë bëri që Kukësi ta hidhte edhe një tjetër hap drejt titullit kampion, të parit në histori. Sulmuesi kroat shënoi në minutën e 33-të direkt nga goditja e dënimit dhe Flamurtari u mund minimalisht, 0-1, në “Zeqir Ymeri”. Me këtë sukses, skuadra e trajnerit Gjoka u ngjit në kuotën e 66 pikëve kur duhen edhe 3 ndeshje për të përfunduar kampionati. Partizani luan nesër dhe ka 66, ndërsa Skënderbeu del në fushë në orën 19:00, në fushën e Teutës, duke pasur 65 pikë përpara ndeshjes.

Në një tjetër takim të orës 16:00, Tirana më në fund arriti të fitojë. Thuajse saktësisht pas 5 muajve, bardheblutë u kthyen tek suksesi duke mundur 2-0 Korabin. Ky përfundim bëri që kryeqytetasit të ngjiteshin në kuotën e 35 pikëve, po aq sa Flamurtarit (që ka epërsinë e ndeshjeve direkte), ndërsa Laçi ka 32 dhe do të luajë nesër ndaj Partizanit.

Një duel i fortë ishte ai mes Vllaznisë dhe Luftëtarit në Shkodër. Në “Loro Boriçi” luhej për një vend të mundshëm në Ligën e Europës, dhe rezultati 2-2 i la të dy ekipet me shpresë. Vllaznia kaloi e para në epërsi me një penallti të diskutueshme, kthyer në gol nga Elis Bakaj, veçse gjirokastritët reaguan fort. Bojom dhe Rezhinaldo përmbysën shifrat dhe u desh goli i kapitenit Shtubina në fund, që vendasit të shpëtonin. Tashmë, Luftëtari ka 40 pikë dhe Vllaznia 39, në një situatë të habitshme, ku të dyja palët edhe pretendojnë Europën, edhe rrezikojnë matematikisht kategorinë.

Sfidanti.al